Miliona njerëz festojnë Shën Valentinin si ditën e të dashuruarve, por askush deri me sot nuk ka pasur idenë më të vogël si dukej shenjti i të dashuruarve që e pagoi me jetën e tij mbrojtjen e një romance 1700 vite më parë.

‘Daily Mail” thotë se ekspertët në Brazil kanë përdorur teknologjinë 3D për të zbuluar se si dukej ai, duke u nisur nga skeleti i kafkës së shenjtit që mbahet në Bazilikën e Santa Marias të Cosmedin, në Romë.

Shën Valentini është ekzekutuar me 14 Shkurt, 273 pas Krishtit, pasi ishte burgosur nga Claudius II, sepse kreu ceremoni martesash në një kohë që ato ishin të ndaluara në vend.

Mbetjet e trupit të tij janë mbledhur në mënyrë digjitale dhe fytyra e tij është rikonstruktuar nga një prej grafik dizajnerave më të mirë të Brazilit, me ndihmën e teknologjisë interaktive 3D.

Kafka dhe mbetjet e tjera që ruhen në Romë janë fotografuar nga Jose Luis Lira, një studiues dhe shkrimtar religjoz, sidhe janë analizuar nga antropologjisti  Marcos Paulo Salles Machado. Ai arriti në përfundimin se kafka i përkiste një burri Europian rreth të 55-tave.

Pavarësisht aksesit të limituar në kafkë, e cila mbahet në një relikte të vogël xhami në kishë – shkencëtarët pretendojnë të kenë prodhuar shembullin autentik që tregon peshkopin e Shekullit III.

“Daily Mail” është gazeta që ka marrë ekskluzivitetin e publikimit të imazheve 3D të Shenjtit të të dashuruarve.

Ai paraqitet i veshur me një tunikë, rrobat zyrtare liturgjike të priftit të kohës ndërsa e kuqja përfaqëson martirizimin e tij./tvklan.al