Në një kohë që vendi po përballet me vështirësi ekonomike dhe zhvleftësim të valutës, Turqia ka vendosur të “tregojë dhëmbët” me një projekt ambicioz.

Ministri turk i Transporteve, Ahmet Arslan, gjatë një interviste për “TRT”-në ka publikuar për herë të parë pamjet e projektit të Urës së Çanakalasë, në ngushticën e Dardaneleve.

Ministri tha se themelet e urës më të madhe në botë në llojin e saj do të hidhen më 18 Mars.

“Po bëjmë një urë të vështirë, urën më të madhe në botë. Nëpërmjet jush po ndajmë për herë të parë më publikun fotot,” tha ai.

“Ndryshimi i kësaj ure nga urat e tjera do  të jetë ky: Duket sikur janë dy ura të ndara që lidhen në mes me disa kalime,” tha Arslan.

Ministri turk tha se është shumë e rëndësishme për vendin që një projekt i tillë me vlerë më të madhe se 10 miliardë lira turke ($ 2.7 miliard), ka marrë oferta për financim brenda një kohe shume të shkurtër nga shumë firma të huaja. E gjitha kjo, tha ai, ndodh në një kohë që po përpiqen të japin imazhin e një Turqie, stabiliteti ekonomik i së cilës tashmë është prishur.

Veçoritë e urës

Ura e Çanakalasë do të jetë ura më e gjatë në botë e varur mbi dy këmbë, me largësinë mes këmbëve që arrin në 2 023 metra.

Ura do të ketë 3 shirita për vajtje dhe 3 për ardhje.

Dy drejtimet e urës do të jenë të ndara nga njëri-tjetri, me disa bashkime.

Ura do të lidhë Stambollin me Çanakalanë dhe Detin Egje. /tvklan.al