Dy gëzime në një ditë për Missin shqiptar, Almeda Abazi, e cila feston ditëlindjen dhe kurorëzohet në martesë me aktorin e famshëm turk, Tolgahan Sayisman.

Almeda Abazi do të veshë fustanin e bardhë më 13 Shkurt, ditën që mbush 25 – vjeçe pas surprizës romantike që i ka bërë i fejuari i saj.

Shqiptarja është në lidhje dashurie me aktorin turk prej dy vitesh, ndërsa në Nëntor 2016 ata u fejuan dhe filluan përgatitjet për dasmë. Çifti pritej të martohej në Pranverë, por Sayisman ka vendosur qe ditëlindjen e Almedës ta bëjë edhe më të paharrueshme.

Ata tashmë kanë fluturuar drejtë Los Angeles-it në SHBA, ku nesër do të martohen në një ceremoni shik, me rreth 25 të ftuar. Pas kthimit nga Los Angeles, çifti pritet të organizojë një festë edhe për miqtë në Stamboll.

Në një prononcim për gazetarët para se të fluturonin drejt Amerikës, dhëndri më i famshëm shqiptar i kujtoi edhe një herë Almedës se sa e veçantë është ajo për të.

 “Një fjalë e urtë shqiptare thotë: Të marrësh vajzë nga Shqipëria është si të këpusësh trëndafil nga parajsa,” tha Tolgahan, duke shtuar se “po marrim nuse nga Shqipëria dhe po bashkojmë popujt tanë.”

Almeda Abazi, e cila ka lindur në vitin 1992 në Shqipëri, është zgjedhur Miss Albania dhe Miss Globe në vitin 2008. Më pas ajo është zhvendosur në Turqi, ku ka marrë mësime aktrimi dhe përveç të tjerash ka luajtur edhe në telenovelën “Sulejmani i Madhërishëm”.

Në Dhjetor 2015, Almeda ka prezantuar “Këngën Magjike”, së bashku me Ardit Gjebrean.

I dashuri i saj, Tolgahan Sayisman është një prej aktorëve më të pashëm dhe më të paguar turq. Abazi dhe Sayizman cilësohen si një prej çifteve më të bukura turke dhe janë gjithnjë në vëmendjen e medias./tvklan.al