Një foto e një gruaje në plazhet greke, e shkrepur nga një fotoreporter belg, ka shokuar mbarë opinionin publik në vendin fqinj.

Fotoja që Max Gyselinck ngarkoi në Facebook-un e tij shfaq qartë katastrofën mjedisore në Gjirin e Saronicut në Rivierën e Athinës pas rrjedhjes së naftës në portin e Salaminës. Tankeri “Agia Zoni 2” u fundos javën e kaluar duke shkarkuar mijëra litra naftë në det.

Përpjekjet e autoriteteve greke për të pastruar naftën e derdhur në det vazhdojnë.

Katastrofa ekologjike ka shkaktuar zhurmë të madhe në skenën politike greke me opozitën që fajëson qeverinë për paaftësi në parandalimin e përhapjes së njollave të naftës në Rivierën e Athinës.

Sipas “Protothema”-s, Partia Demokracia e Re akuzoi Ministrin e Marinës Panagiotis Kouroumplis, i cili injoroi pasojat e njollave të naftës dhe u kërkoi qytetarëve që të vazhdojnë të bëjnë plazh normalisht në ujërat që ishin kontaminuar.

Fotografi që shpërndau foton tronditëse është me kombësi belge dhe bashkëpunon edhe me gazetën franceze “Le Monde”./tvklan.al