Pasi deklaroi tërheqjen e të gjitha kompanive të tij nga Shqipëria, biznesmeni libanezo – amerikan Fadi Mitri është larguar edhe vetë, së bashku me familjen e tij, nga vendi ynë.

Në gjendje jo të mirë shëndetësore, ai është shoqëruar deri në aeroportin e Rinasit nga mjekët që e kanë mbajtur nën vëzhgim prej 10 Shtatorit, kur ai u rrah barbarisht me shkop bejzbolli, në prani të familjes së tij në rrugën e Rinasit.

55 – vjeçari ka lënë Shqipërinë rreth mesditës të së martës me një avion charter nga aeroporti “Nënë Tereza”. Në këto foto të bërë pak minuta para nisjes, duket biznesmeni duke u transportuar me barrelë.

Nuk bëhet i ditur vendi për ku ai është nisur.

Burime zyrtare i thanë Televizionit Klan se destinacioni është mbajtur qëllimisht sekret, për arsye sigurie, ndërsa konfirmohet se ishte pasiguria për jetën, familjen dhe biznesin e tij, ajo që e detyruan Fadi Mitri të largohet nga vendi ynë.

Gjatë 10 ditëve që ai ka qëndruar i shtruar, në një prej spitaleve private të kryeqytetit, Mitri është mbajtur nën mbrojtje të rreptë nga forcat e policisë, për shkak të kërcënimit që ai kishte marrë gjatë rrahjes, për t’u larguar nga Shqipëria.

Të gjitha dyshimet e grupit hetimor për këtë ngjarje lidhen me investimin e kompanisë “Omnix Albania” prej 450 milionë dollarësh në plazhin e Gjirit të Lalzit.

Tv Klan