Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se segmenti i parë i Bulevardit të Ri të Tiranës do të hapet në maj, si për kalimtarët, ashtu edhe për makinat.

Kemi ecur shumë me punimet në Bulevardin e Ri, duhen edhe pak javë derisa të hapet parkingu i madh nëntokësor. Duke filluar nga maji, do të hapim për përdorim rreth 400-500 metrat e para të Bulevardit, për të siguruar edhe hyrjen në parkim për ata që kanë punë në zonën e  ish Stacionit të Trenit

”, tha Veliaj.

Ai inspektoi fazën e fundit të punimeve që po kryhen në këtë segment, duke përfshirë edhe parkingun nëntokësor te ish Stacioni i Trenit, si dhe ndoqi nga afër punën për vendosjen e ndriçimit në Bulevard.

 “

Kemi marrë disa vendime të rëndësishme për ndriçimin. Akset kryesore do të ndriçohen me një ndriçim të përshtatshëm për makinat, e për të gjithë ata që do të përdorin bulevardin. Do të kemi një ndriçim më miqësor për sheshet kryesore, duke nisur nga sheshi kryesor që është tek ish Stacioni i Trenit, pra aty ku kryqëzohet Bulevardi i Ri me të vjetrin dhe me Unazën, dhe mandej të dyja shëtitoret

”, shtoi Veliaj.

Kur të hapet perdja te ish Stacioni i Trenit, besoj se do të jetë një surprizë shumë e këndshme për qytetarët, teksa do të shohin që mijëra pemë, tashmë të rritura, i kanë dhënë shumë hir Bulevardit të Ri

”, u shpreh Veliaj.

 Veliaj tha se bulevardi është konceptuar “

shumë i ngjashëm me bulevardet ndoshta më të mira sot në Europë, si Champs-Elysee, etj, ku pjesa qendrore i kushtohet makinave, ndërsa po aq hapësirë i kushtohet këmbësorëve, kryesisht për korsi biçikletash dhe për të gjithë ata që do të duan të shëtisin e të shijojnë gjelbërimin që është konturuar në formë lulishtesh lineare, gjatë gjithë gjatësisë së bulevardit

”./tvklan.al