Valérie Trierweiler and François HollandePartnerja e presidentit francez Francois Holland, Valerie Trierweiler mesa duket nuk e ka pritur mirë lajmin e një marrëdhënieje të fshehtë mes tij dhe aktores Julie Gayet.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja franceze Le Parizien, që shkruan se zonja e parë e Francës është dërguar në spital pasi ka shfaqur shenja depresioni, që pas publikimit të marrëdhënies së fshehtë dashurore të presidentit francez nga revista Closer.

Nga zyra e Trierweiler konfirmohet lajmi se ajo u dërgua në spital për të kryer disa teste dhe për pak pushim, ndërsa pritet të dalë të hënën. Zyrtarisht nuk jepen detaje mbi spitalin ku është shtruar Trierweiler.

Që prej publikimit të lajmit, për një lidhje sekrete të presidentit Hollande, mediat dhe opinioni në Francë kanë qenë në pritje të një reagimi të mundshëm nga zonja e parë.

Në krah të gazetares 48-vjeçare renditet pjesa më e madhe e francezëve. Madje edhe më tradicionalistët tashmë e shohin Valerie si një viktimë të këtij skandali, megjithëse deri pak kohë më parë nuk e shihnin me sy të mirë. Sipas tyre Valerie kishte përfituar me lehtësi shumë vende pune prej lidhjes me presidentim.

Të premten, revista Closer publikoi një artikull prej 7 faqesh, të ilustruar me foto, ku hidhte dyshime për një lidhje të sekrete mes presidentit Hollande dhe aktores 41-vjeçare. Megjithëse nuk e mohoi publikisht një lidhje të tillë, Hollande që këtë vit mbush 60-vjeç, tha se do t’a padiste revistën për shkelje të privacisë.