Nuk ka muze të famshëm të artit modern që pjesë të koleksioneve të tyre mos të kenë veprat e Franco Fontanës. Tirana është hera e parë që përfshihet në qytetet ku mjeshtri italian, një nga shpikësit e fotografisë me ngjyra, vjen jo fizikisht por me artin e tij.

Walter Liva/ Koordinator i Qendrës së Kërkimit dhe Ruajtjes së Fotografisë, Itali 

“Ishte shumë e nevojshme që ky koleksion të vinte në Shqipëri. Pas bashkëpunimit me Muzeun Historik Kombëtar Marubi dhe hapjes së ekspozitës me fotografi të Pjetër Marubit në Trieste, Qendra e Kërkimit dhe Ruajtjes së Fotografisë në Itali, e sheh si domosdoshmëri zbulimin dhe vlerësimin e kulturës shqiptare”.

Në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, fotografitë janë ftesa për zgjim të ndërgjegjes ndaj të bukurës.

Walter Liva /Koordinator i Qendrës së Kërkimit dhe Ruajtjes së Fotografisë, Itali 

“Objekti është peizazhi italian. Qenia njerëzore mungon edhe në zonat urbane, pra është një mënyrë për ta rivlerësuar mjedisin ku jetojmë dhe sigurisht ta mbrojmë”.

Pavarësisht kohës dhe teknologjisë gjuha fotografike e Franco Fontanës mbetet e njëjtë, mjafton të zotërosh çelësin e duhur për të depërtuar në mendjen e tij.

Walter Liva/ Koordinator i Qendrës së Kërkimit dhe Ruajtjes së Fotografisë, Itali 

“Po ju jap një shembull. Në të gjitha peizazhet bardh e zi të fotografuara nga emblematiku Mario Giacomelli, mungon qielli, te Franco Fontana, ai është prezent, nga këtu niseni”

Krijimtaria e limituar te peizazhi i Franco Fontanës që të dukshmen e bën të padukshme është e vizitueshme deri fillim të Nëntorit.

Tv Klan