Franko Bushati e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si basketbollist në Itali, por duket se ky moment është nga më të mirët. Brescia është në krye të renditjes në Serie A pas 8 fitoreve radhazi dhe një pjesë e meritës i takon 32-vjeçarit nga Shqipëria.

I ndodhur në Tiranë për grumbullimin e Kombëtares kuq e zi, Bushati, flet për rivalitetin e fortë në kampionatin italian.

“Asnjë nuk e priste që Brescia të kishte 4 pikë më shumë se Milano. Shpresojmë të vazhdojmë, pasi kur të kthehemi kemi dy ndeshje të vështira ndaj Venezia dhe Milano, por nuk kemi asgjë për të humbur.”

Për të mbërritur në ligën e parë  i është dashur të kalojë në disa etapa.

“Jam i vetmi lojtar i cili e ka nisur me Brescia nga kategoria e tretë, duke bërë të gjithë ciklin. Unë aty ndjehem si në shtëpinë time.”

Ai do të jetë në fushë të enjten me Kombëtaren përballë Armenisë, për paraeliminatoret e Eurobasket 2021.

“Luajtëm në verë me Armeninë dhe janë një ekip shumë cilësorë me një amerikan, i cili luan në Euroleague, kështu që do të jetë shumë e vështirë.”

Ndeshja me Armeninë është e para për këtë fazë kualifikuese, në të cilën kombëtarja do të drejtohet nga greku Antonios Dukas, i cili është njëkohësisht edhe trajner i Tiranës.

Tv Klan