Fitoi një betejë ligjore për ta pasur më të lehtë që të vendosë për të ardhmen.

Frederik Veseli nuk është më lojtar i Luganos, pasi e zgjidhi kontratën me klubin zviceran.

Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, i vlerësuar lart nga trajneri Xhani De Biazi, besohet se ka nisur kontakte me klube të ligave më të rëndësishme sesa ajo zvicerane, ndërsa kontrata me Luganon mund ta pengonte.

Klubi kishte në plan që të fitonte një shumë të madhe nga transferimi i tij, sidomos pasi Veseli u përzgjodh për në Euro 2016 dhe madje u aktivizua për disa minuta ndaj Francës.

Mbrojtësi 23 – vjeçar, duke pasur frikë se kërkesat e larta të Luganos mund ta pengonin që të transferohej, iu drejtua gjykatave sportive duke dalë fitues.

Pavarësisht nga cilësitë e larta fizike dhe teknike, ai ende nuk është stabilizuar si një nga mbrojtësit më të njohur të Europës.

I vlerësuar shumë tek ekipet e moshave të Manchester City, ai ndryshoi 6 skuadra në 6 vjet, diçka që nuk e ndihmoi aspak, edhe pse veshi për pak kohë edhe fanelën e Manchester United.

Gjithsesi, De Biazi nuk besohet të jetë gabuar për të.

Askush nuk mund të harrojë se Frederik Veseli u shpall kampion i botës për 17 – vjeçarët në vitin 2009, duke ngritur trofeun si kapiten i Zvicrës.

 

Tv Klan