Lufta kundër monedhës euro është materializuar përmes firmosjes së një memorandumi mes Ministrisë së Financave, Bankës Qendrore dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Televizioni Klan ka siguruar këtë memorandum, i cili që në fillim të tij thekson se monedha euro është bërë një kërcënim për stabilitetin financiar të vendit. Për këtë arsye të tre institucionet angazhohen se do të marrin masa për uljen e përdorimit të monedhës së përbashkët europiane  në ekonominë shqiptare.

E para është Ministria e Financave, e cila pranon që borxhi publik, i cili sigurohet në ankande të ndryshme të merret në lek, në mënyrë që të ulet kërkesa për euron, ndërsa po ashtu nënshkruan se do të marrë edhe masa ligjore të cilat mund të ndryshojnë disa taksa që lidhen me përdorimin e valutës.

E dyta është Banka e Shqipërisë, e cila do të ofrojë kushte më të mira për ata që marrin kredi në monedhën kombëtare dhe do të ndryshojë rregulloret për të mbrojtur nga rreziku shtresat vulnerabël që mund të preken nga kursi i këmbimit. Të njëjtat rregullore për institucionet financiare angazhohet të ndryshojë edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes financiare. 

Tv Klan