E prezantuar pak ditë më parë nga presidenti i Federatës së Futbollit, Akademia e Arbitrave Shqiptare po nis nga puna.

Sektori i arbitrimit po kërkon të rekrutojë kandidatë femra dhe meshkuj duke filluar nga mosha 14 deri në 22-vjeç. Arsyeja e moshave të reja deri në 14 është e thjeshtë dhe praktike.

Sokol Jareci – Sekroti i Arbitrimit, FSHF:

“Do të hidhen në fushë dhe hapi i parë është të jenë arbitra tek moshat më të vogla të atyre që luajnë futboll.”

Federata Shqiptare ka përshtatur këtë Akademi duke u bazuar në një projekt të UEFA-s.

Jareci:

“Këto arbitra në UEFA trajnohen (dy javë) në atë që quhet periudha e prezantimit dhe pas gjashtë muajve kanë atë që quhet periudha e konsolidimit.”

Federate e ka financuar vetë akademinë dhe kandidatët nuk do të paguajnë për formimin e tyre si arbitra futbolli. Jareci tregon edhe si do të funksionojë:

Jareci:

“Përveç atyre 17 rregullave të rregullores së futbollit do të kenë leksione edhe nga përgatitja fizike, mjekësisë, dhe gjuhës angleze.”

Arbitrimi në të gjithë Evropën po kthehet në një profesion të mirëfilltë, për arsye të përgjegjësisë që kanë xhaketat e zeza në një ndeshje futbolli. /Tv Klan