Skënderbeut i hiqet titulli kampion i sezonit 2015-2016.

Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare Futbollit vendosi gjithashtu që korçarëve tu zbriten 12 pikë nga sezoni që sapo u mbyll, si dhe 2 milionë lekë gjobë.

Pas disa mbledhjesh Etika vendosi ta konsiderojë Skënderbeun fajtor për komplotim të rezultateve të ndeshjeve. Kjo masë nuk rrezikon aktualisht pjesëmarrjen e Skënderbeut në Europa League, pasi diferenca me vendin e katërt Luftëtarin është 16 pikë pas zbritjes.

Një tjetër goditje për Skënderbeun që sezonin e kaluar u përjashtua nga kupat e Europës për trukim ndeshjesh. Klubi i Futbollit Skënderbeu në një njoftim në faqen zyrtare në Facebook sqaroi se është kërkuar zyrtarisht argumentimi i vendimit, si hapi proçedurial paraprak për ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Klubi korçar thotë se Etika transformoi  një vendim administrativ në një vendim disiplinor, pa pasur qoftë edhe një provë të vetme të drejtpërdrejtë apo indirekte mbi të akuzuarin. Ende nuk dihet se çdo të bëhet me titullin kampion, pasi Komisioni i Etikës nuk e ka këtë kompetencë dhe pritet të shikohet në vijim se si do të vendoset./Tv Klan