brahimi-jupi

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të mesfushorit kosovar Mërgim Brahimi, se ka qenë tekniku Redi Jupi që ka detyruar futbollistin të largohet nga përfaqësueja shqiptare dhe të zgjedhë Kombëtaren e Zvicrës.

Gjithçka sillet rreth një bilete avioni, që Brahimi pretendon që FSHF nuk ia ka paguar, gjatë një takimi të Kombëtares U 21 në Rusi.

FSHF thotë se respekton vendimin e futbollistit, por nuk lejon kurrsesi të prishet dhe të cënohet imazhi i trajnerit Jupi. Kjo vlen për të gjithë ata lojtarë që kanë bërë zgjedhje ndryshe.

“Ky është qëndrimi ynë parimor, njerëzor dhe profesional, në çdo rast”, thuhet në deklaratë.

Më tej Federata vlerëson se përkushtimi dhe profesionalizmi i trajnerit Jupi dhe i të gjithë specialistëve të tjerë të FSHF –së, i trajnerëve dhe stafeve të ekipeve kombëtare, ka bërë që niveli i këtij sporti të rritet dhe të shndërrohet në simbol për të gjithë shqiptarët.

Sipas saj, rezultatet e futbollit shqiptar dhe sukseset e tij vitet e fundit, janë qartësisht të suksesshme dhe ato bëjnë të lumtur çdo shqiptar kudo që ai ndodhet.

Pavarësisht faktit nëse këto deklarata janë të vërteta, keqkuptime apo sajesa mediatike, Federata shprehet se tregon kujdes të madh ndaj çdo talenti shqiptar.

Tv Klan