Vëllai i diktatorit të Koresë së Veriut është vrarë në një aeroport në Malajzi, tha të martën agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut, Yonhap.

Ndërkohë, një burim anonim nga qeveria e Koresë së Jugut i tha Reuters-it se Kim Jong-nam besohet të jetë vrarë me “gjilpëra të helmuara” nga dy agjente femra të paidentifikuara ditën e hënë.

Të dyshuarat arritën të largohen nga vendi i ngjarjes ndërsa policia e Malajzisë beson se Koreja e Veriut është pas ngjarjes së rëndë.

 Diktatori Kim Jong-un ekzekutoi edhe xhaxhanë Jang Song-thaek në dhjetor 2013.

46-vjeçari Kim Jong-nam ishte djali më i madh i ish-liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-il.

Ai i kishte mbijetuar një tentative për vrasje në Macau në vitin 2011.

Jong-nam fillimisht shikohej si personi favorit për të trashëguar pushtetin në shtetin komunist, por figura e tij ra pasi u arrestua në Japoni me një pasaportë false, së bashku me dy gra dhe një fëmijë.

Nëse konfirmohet zyrtarisht, vrasja e tij do të përbënte vdekjen e profilit më të lartë nën regjimin e Kim Jon-un që prej ekzekutimit të Jang Song-thaek.

Kim Jong-nam lindi nga lidhja pa martesë e liderit të Koresë së Veriut me Sung Hae-rim, një aktore e lindur në Korenë e Jugut dhe që vdiq në Moskë. /tvklan.al