Një numër ende i papërcaktuar këmbësorësh kanë mbetur të plagosur këtë të hënë në Toronto të Kanadasë, pasi një furgon u fut në trotuar. Sipas zyrtarëve të policisë atje, ngjarja ndodhi në një kryqëzim tejet të populluar rreth orës 13:30, me orën lokale. Policia u bëri thirrje publikut që të shmangë zonën, ndërsa transporti publik përreth është pezulluar.

“Raportimet flasin për një furgon të bardhë që u fut në trotuar në jug të Finch dhe mori përpara të paktën 10 persona, megjithatë numri nuk është ende i konfirmuar

“, tha një zyrtar i policisë.

Fotografitë e postuara në rrjetet sociale tregojnë forca të shumta policie, si dhe shërbimet e emergjencës që i shkuan në ndihmë të plagosurve.

Autoritetet e ndaluan furgonin disa lagje më tutje dhe shoferi është shoqëruar në polici. Deri më tani nuk ka të dhëna për shoferin, emrin, moshën apo motivet e mundshme.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau i tha reporterëve:

“Po njihemi me situatën në këtë moment. Zemra jonë është me personat e prekur nga kjo ngjarje. Do të kemi më shumë informacion në orët në vijim”.

/tvklan.al