Një sinjal i ardhur nga  Departamenti Amerikan i Narkotikëve çoi policinë greke në shkatërrimin e një rrjeti që prodhonte dhe furnizonte me drogë sintetike Shtetin Islamik. Kreu i grupit raportohet të jetë një shqiptar me pseudonimin “Andrea”, i cili prezantohej si biznesmen me peshë në industrinë ushqimore.

Katër persona u vunë në pranga, por jo kreu i grupit.  Tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Ata kishin shndërruar një magazinë në laborator të prodhimit të pilulave Captagon që përdoreshin për drogimin e luftëtarëve të ISIS.

Gjatë ndërhyrjes policia gjeti plot 635 mijë tableta të destinuara për vendet e Lindjes së Mesme, përfshi edhe Sirinë.  

Kjo është sasia më e madhe e drogës sintetike të kapur ndonjëherë në tregun grek, e gatshme për t’u trafikuar. Nga substancat e gjetura në dhomën e përgatitjes, policia thotë se grupi ishte në gjendje të prodhonte edhe një herë të njëjtën sasi.

Lukas Danabasis, Shef i Departamentit te Antidrogës së Atikës:

 “Është hera e parë që në Greqi zbulohet një punishte e prodhimit të pilulave Captagon. Hetuam për disa muaj derisa arritëm të krijonim profilet e personave të implikuar në këtë rrjet si dhe ambienteve që përdoreshin nga kjo organizatë kriminale.”

Vlera e shitjes së tabletave të konfiskuara llogaritet  në 10 milionë euro, ndërsa çmimi i çdo tabletë ishte përafërsisht  20 euro.  Nga hetimet rezultoi se truri i organizatës ishte 47-vjeçari shqiptar, një ish-polic grek në pension dhe një kimist turk. Kreu i grupit mësohet se kishte porositur edhe blerjen e një skafi 12.5 metra që do të përdorej për transportimin e drogës sintetike nga Greqia drejt Turqisë.

Tv Klan