Federata Angleze e Futbollit ka ndërmarrë hapa seriozë për të futur në rregulloret e saj ndëshkimin në retrospektivë për futbollistët që simulojnë në zonën kundërshtare dhe fitojnë të drejtën e 11-metërshtit.

Parashikohen dy ndeshje pezullim për çdo futbollist që do të përfitojë avantazh domethënës në favor të skuadrës së tij duke mashtruar arbitrat gjatë simulimit.

Zyrtarëve të federatës angleze kjo u duket një ide e mirë për ta mbajtur futbollin një lojë të ndershme, ndërsa rregulli po aplikohet me sukses prej disa kohësh në Skoci.

Teksa futbolli po përballet me ndryshimet e vazhdueshme të rregullores, kohët e fundit propozimet që po bëjnë zyrtarët e FIFA-s janë trajtuar me ironi nga ekspertët anglezë.

Gazetarët “Sky Sport” i kanë lejuar vetes të bëjnë sugjerimet e tyre duke u tallur me Marco van Bastenin e shumë të tjerë në FIFA.

Një prej propozimeve ironike është që të akordohet 11-metërsh pas një ndërhyrjeje të rëndë pavarësisht se në cilën pjesë të fushës.

Një tjetër është që për të mbajtur në lojë një futbollist që merr karton të kuq, ekipi kundërshtar merr një gol më shumë.

Të hiqet pika që marrin skuadrat për ndeshjet që përfundojnë barazim, dhe për të inkurajuar futbollistët të bëjnë gola të bukur të ngrihet paneli, që do të vlerësojë golin me “sexy”./Tv Klan