Në total, përllogaritet se ka dërguar në Itali 540 kilogramë drogë, 340 heroinë dhe 200 kokainë. Aktiviteti i tij prej narkotrafikanti lulëzonte, aq sa në Shqipëri bënte një jetë luksoze. Ai kishte një vilë bunker në qytetin e Beratit, e vëzhguar me kamera dhe truproje. Kështu e përshkruajnë mediat italiane Alket Hatijan, 44 – vjeçarin e dënuar me 20 vite heqje lirie nga një gjykatë në Itali, i cili u arrestua të shtunën nga policia e Durrësit.

Nga 20 Prilli, Hatija ishte dënuar përfundimisht me 20 vite në burg, pas një hetimi të gjatë nga antidroga italiane.

Gjuetia për Hatijan në Shqipëri

Elementët për të rënë në gjurmët e tij nuk ishin të shumtë. Një emër, dy datëlindje, një foto në një pasaportë dhe një adresë banimi në Itali, në provincën e Campobasso, rruga Kennedy 2. Aty kishte jetuar në vitin 1997, viti kur kishte shkuar për herë të parë në shtetin fqinj dhe punonte si punëtor krahu.

Falë bashkëpunimit me Interpol dhe agjentët e Policisë Shqiptare, autoritetet në Moscova arritën që ta gjenin narkotrafikantin në qytetin e tij të lindjes.

Megjithatë, arrestimi i tij u bë i mundur vetëm të shtunën, pasi autoritete përfituan nga një prej udhëtimeve të tij në Durrës.

Duke cituar autoritetet italiane, mediat e vendit fqinj shkruajnë se Hatija kishte arritur që ta transportonte të gjithë sasinë e drogës në territorin milanez në harkun kohor të një viti, nga Janari i 2003 -ën dhe Marsi 2004 -ës. Hetimet zbuluan se 44 – vjeçari kishte arritur të bënte të paktën 59 “rrugë”.

Si transportonte kilogramë të tëra me drogë në Itali

Mënyra sesi operonte ishte tepër e rafinuar. Fliste pak në telefon dhe askush nuk e thërriste kurrë në emër. Droga, e cila vinte nga Shqipëria nëpërmjet anijeve, makinave e kamionëve, dorëzohej menjëherë. Kështu ‘malli’ nuk qëndronte për kohë të gjatë në ‘duart’ e narkotrafikantit, e pikërisht për këtë arsye nuk përdorte asnjë lloj magazine për të ruajtur lëndën narkotike.

Zakonisht, për ngarkesat më të mëdha, i paraprinte udhëtimet e korrierëve të tij për të verifikuar personalisht që gjithçka të shkonte sipas planit.

E pikërisht në një nga këto raste, bëri edhe gabimin e tij të vetëm, duke treguar pasaportën në mbërritje me anijen në portin e Ankonës. Falë të dhënave të mbledhura në atë rast, shumë vite më vonë, të shtunën e 8 Korrikut ai u arrestua.

Ndërkohë, Gjykata e shkallës së parë në Durrës e rrëzoi arrestimin e Hatisë duke e konsideruar të paligjshëm ndalimin e tij me qëllim ekstradimin. Tv Klan mësoi se prokuroi kërkoi 40 ditë burg deri në mbërritjen e kërkesës për ekstardim nga Italia, por gjykatësi Petraq Curri tha se nuk kishte prova të mjaftueshme dhe e liroi të arrestuarin në sallë. Tashmë do të jetë Gjykata e Apelit që do të vendosë./tvklan.al