Konkurrenca SHBA-Rusi vijon të rritet. Rusia po planifikon të ndërtojë “aeroplanmbajtësen më të madhe në botë” me vlerë 17.5 miliardë euro dhe kapacitet transporti deri në 90 avionë luftarakë.

Sipas medias shtetërore ruse, ky do të jetë një hap gjigant përpara në garë për ushtrinë Ruse, pasi aeroplanmbajtësja aktuale e Rusisë, Admiral Kuznetsov, mund të transportojë vetëm 30 avionë luftarakë.

Aeroplanmbajtësja e njohur si “Projekti 23E000E” apo “Shtorm” parashikohet të futet në përdorim në vitin 2030.

Megjithatë, “The Independent” thotë se nuk dihet nëse “Shtorm” vërtetë do të jetë aeroplanmbajtësja më e madhe në botë në kohën që do të hyjë në funksion, siç pretendon media ruse.

Të dhënat e aeroplanmbajtëses ruse duken të ngjashme me ato të anijeve Nimitz-class të Amerikës.

Sipas modeleve të planifikuara, aeroplanmbajtësja do të ketë madhësinë e tri fushave të futbollit dhe do të ketë një ekuipazh prej 4 000 personash.

Aktualisht Moska mbështetet tek fuqia e aeroplanmbajtëses Admiral Kuznetsov, e cila u prodhua në vitin 1985. Admiral Kuznetsov punon me motorë me avull ndërsa aeroplanmbajtësja e re do të funksionojë me energji bërthamore./tvklan.al