Bie në prangat e policisë, Nazer Seiti i përfshirë në dosjen e Habilajve, ndërsa në kërkim është Florian Habilaj i njohur me nofkën Lolo. Arrestimi i tij erdhi pas aksionit në fshatrat Drashovice – Velçe.

Dhjetëra urdhër – arreste pritet të lëshohen nga Krimet e Rënda për zyrtarë e ish – zyrtarë të Policisë, të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës me grupin e Habilajve.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në përgjimet e Prokurorisë së Katanias dhe Antimafias së Leçes janë zbuluar lidhje të policëve me Moisi Habilajn dhe anëtarë të tjerë të rrjetit të tij.

E këtij grupi është edhe droga e bllokuar një natë më parë në Babicë të Vlorës. 4 ton kanabis u gjetën në shtëpinë e Armand Koçerrit, i cili u arrestua. Ndersa dy persona të tjerë u shpallën në kërkim.

Policia e Shtetit tha se operacioni u krye në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë finalizuar një mega-operacion të nisur pas një hetimi të mirfilltë me metoda speciale. Referimi është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në datë 30 prill 2017 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për grupin kriminal të njohur si “Habilaj”, pas informacioneve që kishin siguruar për aktivitetin në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme nuk e përmend policinë në njoftimin e saj, por vetëm shërbimet inteligjente dhe partnerët e huaj.

“Një hetim disa mujor i Prokurorisë për Krime të Rënda u finalizua me zbulimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, në zonën e Babicës, Vlorë. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë, rezulton se lënda narkotike është kultivuar, përpunuar, magazinuar dhe është bërë gati për trafik nga persona, pjesë e grupit kriminal të njohur si Habilaj. Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare dhe me shërbimet inteligjente”.

Veç drogës, policia bllokoi një gomone në pronësi të Ferdindand Habilajt, me prokurë përdorimi nga Moisi Habilaj, i arrestuar tashmë në Itali. Hetimet po vijojnë edhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, apo për asetet dhe pasuritë e këtij grupi me veprimtari të gjerë në fushën e narkotikëve.

Tv Klan