Zhvillimet e ditëve të fundit dhe akuzat ndaj ish – Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për përfshirje në trafikun e drogës është pasqyruar gjerësisht edhe në mediat ndërkombëtare.

Nuk kanë munguar as reagimet, ndër to edhe ai i gazetarit britanik Tim Judah, i cili vitin e shkuar realizoi një reportazh në vendin tonë, për situatën e kanabisit.

Teksa ka postuar në Twitter një artikull të

“Balkaninsight”

, me titull

“Prokuroria Shqiptare kërkon arrestimin e ish – Ministrit”

, gazetari i britanikes “The Economist” shkruan:

“18 muaj më parë pyeta italianët rreth Tahirit, ata refuzuan që të flisnin. Tani po bëhet e qartë përse”.

Ndërsa në një postim të dytë, po në Twitter, Judah ka ripostuar artikullin e realizuar në Shqipëri për kanabisin, ku u takua edhe me vete Tahirin, që në atë kohë mbante detyrën e Ministrit të Brendshëm. Në këtë postim, gazetari britanik shkruan:

“Artikulli i vitit të shkuar përfshin edhe deklaratat e opozitës për Tahirin”.

Në artikullin e publikuar më 22 Shtator të 2016 -ës, gazetari i “The Economist” shkruante për përpjekjet e Shqipërisë për të ndaluar përhapjen e plantacioneve të kanabisit.

Judah mori pjesë në një aksion të policisë në Tragjas, për korrjen e kanabisit. Teksa shkruante edhe për vizitën e Tahirit në plantacionet e drogës, Tim Judah theksonte se gjithnjë e më shumë Shqipëria ishte bërë një prodhues i madh i kanabisit, i cili shpërndahej me një rrjet kompleks të grupeve të organizuara të krimit shqiptar.

“Një nga destinacionet më të mëdha është Italia, ku droga është kontrabanduar me skafe, kamionë dhe avionë privatë”,

shkruante gazetari i “The Economist”.

Nga ana tjetër, Tim Judah nuk linte pa përmendur edhe akuzat e opozitës, se vetë qeveria ishte e lidhur me mbjelljen e kanabisit.

“Faktet janë të vështira për t’u gjetur. Plantacionet janë përhapur përtej Lazaratit. Por zyrtarët italianë refuzojnë të flasin nëse shqiptarët janë seriozë në trajtimin e tyre”,

shkruante Tim Judah.

Gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri, Judah realizoi edhe një fotografi me vetë ministrin e asaj kohe, Saimir Tahirin. /tvklan.al