Gërmime në një varrezë të dyshuar në Mitrovicë

Të enjten ekspertët e mjekësisë ligjore filluan gërmimet në një zonë në pjesën veriore të Mitrovicës të banuar më shumicë serbe, lidhur me dyshimet për një varrezë masive. Gërmimi vlerësues po kryhet në një zonë në veri të lumit Ibër në këtë qytet, e njohur si Xhamia e Ibrit, jo larg urës kryesore mbi këtë lum, ku dyshohet se mund të jenë varrosur trupa të të zhdukurve gjatë luftës.

Kryetari i komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj, tha se për këtë vend ka pasur dyshime që nga pas lufta, por kërkimet ishin zvarritur për shkaqe politike dhe të sigurisë.

“Mund të them se dëshmitarët kanë dhënë shumë informacione, këto ka kalu kohë bukur e gjatë për t’i përpunuar, sikur kudo tjetër për ndonjë lokacion të dyshuar, po shpresojmë që të gjejmë atë cka kërkojmë sepse kemi edhe 1660 persona të identifikuar si të zhdukur dhe sadopak do të ndikonte në qetësimin dhe zvogëlimin së pari të atyre që i kërkojmë, dhe qetësimin e ndonjë familje a familjari që presin 17 vite”, tha zoti Gjetaj.

Islam Tahiri, i cili që nga lufta nuk di më asgjë për fatin e vëllait të tij, shprehet i pakënaqur me punën e deritashme të autoriteteve për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

“U bënë 17 vjet, gjë s’di për të, ku bëhen gërmime shkoj, dikund ndoshta edhe nuk m’lënë, mirëpo unë shkoj. Ndoshta edhe jemi ftohë edhe prej udhëheqësisë pak. Ndoshta nuk është mirë këtë fjalë me fol po aq jemi të mllefosun në këtë punë që nganjëherë po duhet me i akuzu edhe ata se duhet me këqyr pak më shumë, 17 vjet, nuk duhet me barazu këtë luftë me luftën e dytë botërore, por edhe atëherë është dashtë me këqyr po tjerë njerëz kanë qenë atëherë. Mua më është pushkatu baba në 1945 në Tivar, sot e asaj dite nuk ja di eshtrat kurrë. E tash ka qenë tjetër, këta kanë mujt pak më shumë me na informu e me këqyrë, e sot jemi mbetë kështu rrugëve herë shko aty e herë aty e në fund asgjë”, tha ai.

Gjyla Aziri, ndihmëse në shoqatën për persona të zhdukur “Zëri i prindërve” në Mitrovicë, thotë se fillimi i gërmimeve në këtë vend është vonuar shumë.

“Sot kemi dy; edhe me thanë gëzime edhe hidhërime, se është pritë shumë se shumë njerëz kanë vdekë me pengun për ta hapë këtë varrezë këtu. Hidhërimi është që edhe nëse dalin eshtrat si do të mbahen familjarët pas 17 viteve të dalin eshtrat që janë në derë të shpisë këtu, kjo është shumë tmerr i madh për institucionet se sa vonu kjo çështje”, tha ajo.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare./tvklan.al

Burimi: VOA

 

Kategori
KosovaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione








Të Lidhura