Një farmacist u vra nga fqinji i tij në derë të shtepisë, mesditën e kësaj të enjteje në fshatin Drojë të Fushë Mamurrasit në Kurbin. 62 – vjeçari Zef Doda, u qëllua nga 78 – vjeçari Mirash Vukaj, i arrestuar tashmë nga policia.

Mes viktimës dhe autorit mësohet se pati një konflikt për murin rrethues të një banese që më vonë degradoi në konflikt me armë. Veç arrestimit të Mirash Vukajt banues në Kurbin, policia sekuestroi edhe armën e krimit.

Sipas policisë, autori Mirash Vukaj kishte pak kohë që ishte vendosur me banim pranë shtëpisë së Zef Dodës dhe që në fillim duket se ata kanë patur konflikte. 

Rreth orës 14.00, 78 vjeçari po e priste fqinjin në rrugën përballë shtëpisë pikërisht në kohën kur ai po mbyllte farmacinë për pushimin e drekës.

Nga 10 metra largësi i moshuari i drejtoi pistoletën, duke e qëlluar disa herë.  Mësohet se i arrestuari Vukaj ka pranuar autorësinë e krimit./tvklan.al