Shkelzen Dauti, i njohur si Genny është shqiptari i cili u gjet me një plagë në kraharor në rrugët e Gilpin Close, Southampton, Hampshire. 21-vjeçari u dërgua me urgjencë në spitalin e Southamptonit ku humbi dhe jetën.

Sipas policisë vdekja e tij ka ndodhur në një situatë të pazakontë në orën 1:38 të mëngjesit të së shtunës. Ata filluan të merrnin në pyetje të gjithë banorët e zonës nëse kishin dëshmuar diçka.

“Jemi ende duke u përpjekur për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes së ndodhur. Ne duam që t’i dëgjojmë të gjithë të gjithë ata që mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë jetën e Genny në Southampton dhe në veçanti, të gjithë ata që e kanë parë atë në orët e para të së shtunës. Sipas familjes së tij ai njihej me nofka të ndryshme”, tha kryeinspektori Ellie Hurd, nga Hampshire.

Në vendin ku djaloshi u gjet i plagosur u lanë buqeta me lule dhe në njërën prej tyre shkruhej ”Ishte shumë shpejt, ishe shumë i ri”.

Banorët e zonës janë ende të shokuar nga vdekja e tij.

“U zgjova në orën 8 të mëngjesit për të nxjerrë qenin jashtë por nuk kam parë asgjë. Thuhet se dikush e kishte qëlluar me thikë”, tha 59-vjeçarja Karen Williams, pronare e klubit “The Hinkler”, në zonë.

“U zgjova në 9.30 të mëngjesit por zona ishte e rrethuar me shiritë të policisë dhe unë nuk e di se çfarë ka ndodhur”, deklaroi pastruesja Lee Chance, 28 vjeç.

“Na telefonuan në orët e para të mëngjesit të së shtunës, fiks në 1:38, pasi ai u gjet me lëndime të rënda në gjoks në rrugën Gilpin Close, Southampton. Ai fatkeqësisht vdiq më vonë në Spitalin e përgjithshëm të Southamptonit”, tha një zëdhënës i Policisë së Hampshire.

Policia është ende duke u përpjekur për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes. Zona është rrethuar nga shiritat e policisë ndërkohë që është rritur patrullimi në zonë./tvklan.al