Një gjeneral i lartë amerikan ka mbërritur në gadishullin korean në një kohë kur SHBA dhe Koreja e Veriut kërcënojnë njëra-tjetrën me luftë. Gjenerali Joe Dunfort do të qëndrojë në Korenë e Jugut, shtet aleat i SHBA-së.

Duke folur për gazetarët, gjenerali i lartë amerikan tha se prioriteti i ushtrisë është fushata diplomatike dhe ekonomike e administratës Trump për të qetësuar “ujërat” në gadishullin Korean, por nga ana tjetër po përgatiten edhe planet ushtarake në rast se Koreja e Veriut kërcënon dhe kjo fushatë dështon. Sipas tij, karta e fundit që mbetet për t’u luajtur është ajo e sulmit ushtarak.

Gjenerali Dunfort u shpreh se vizita e tij në këtë rajon synon që të sigurojë aleatët e Shteteve të Bashkuara, Korenë e Jugut dhe Japoninë, si dhe të ndërtohen marrëdhënie ushtarake me Kinën. Kjo e fundit është aleati dhe partneri i vetëm tregtar i Koresë së Veriut.

“Ne të gjithë kërkojmë të dalim nga kjo situatë pa luftë. Si një udhëheqës ushtarak kam për të detyrë të siguroj që presidenti të ketë opsione ushtarake praktike në rast se dështon fushata e presionit diplomatik

”, theksoi gjenerali duke shtuar se shteti komunist posedon armë bërthanore që kërcënojnë SHBA-në dhe aleatët e saj në këtë rajon.

Gjenerali Joe Dunfort do të takohet me Presidentin koreano-jugor dhe homologun e tij ushtarak, para se të udhëtojë për në Kinë dhe Japoni gjatë ditëve të ardhshme.

Tensionet mes SHBA dhe Koresë së Veriut janë rritur së tepërmi javët e fundit, kur dy vendet kërcënojnë me luftë njëra-tjetrën. Nga ana tjetër, Kina ka deklaruar se do të qëndrojë neutrale nëse Koreja Veriore sulmon e para, por ka sqaruar që nëse SHBA do të sulmojë e para, atëherë do të synojë të parandalojë zhvillimin e luftës duke mos u përfshirë me veprime ushtarake.

/tvklan.al