32 gjenitë janë përzgjedhur.

Pas javësh përgatitjesh në studiot e Televizionit Klan, e premtja është prova e fundit, ajo gjeneralja. Teksa në teatrin e dedikur për “Gjeniun e Vogël”, çdo element i spektaklit është kuruar, një ekip grimierësh dhe parukierësh po përkujdeset për protagonistët e vegjël me zëra të mëdhenj.

Prova gjenerale, prekja e parë e spektaklit, e ka rritur dozën e emocioneve të fëmijët, që siç thonë edhe ata vetë, është një ëndërr që po realizohet.

Edicioni i shtatë i “Gjeniut të Vogël”, rikthehet në ekranin e Televizionit Klan të shtunën, në orën 21:00. Për të mbërritur deri në mbrëmjet live, tre autorët Pandi e Bledi Laço dhe Adi Hila, dëgjuan me qindra zëra.

Kush do t’i këshillojë ata? Krah xhaxhi Adit, Pirros dhe teta Vikenës do të kemi një anëtare të re të jurisë.

“Gjeniu i Vogël”, një format krejtësisht origjinal shqiptar, në çdo edicion të tij e ka vërtetuar se është shkolla e talenteve, e këngëtarëve të ardhshëm. Nën moderimin e Klea Hutes, sfidat do të jenë të drejtpërdrejta, për këngëtarët e vegjël dhe për vetë jurinë, që në fund do të duhet të japin PO -në për më të mirin mes të mirëve.

Tv Klan