Gjergj Lezhja, një nga njerëzit më të besuar të Sali Berishës, bashkëpunëtor i tij në ditët më të vështira të Partisë Demokratike në vitin 97’, një prej drejtuesve kryesorë të sektorit të organizimit, zëvendësministër i brendshëm dhe sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë e akuzon publikisht Lulzim Bashën si autor të një masakre të paprecedent të Partisë Demokratike me listat e kandidatëve për deputetë. Duke sqaruar nuk pretendon ndonjë ofiq politik, pasi është larguar nga politika aktive prej vitesh, Lezhja që sot mban detyrën e këshilltarit të presidentit të republikës për sigurinë, thotë se me spastrimin e figurave historike, Basha i hoqi Partisë Demokratike rripin e pantallonave dhe se në këtë mënyrë nuk do të bëhet kurrë udhëheqës i një force politike që pretendon të marrë pushtetin.

Lezhja, në një opinion të publikuar në portalin Citynews, e portretizon Bashën si hileqar, që me ngritjen e çadrës, për të cilën thotë se e përdori për qëllime të një politike tërësisht personale të dështuar. 

Si një njerëzve më të afërt dhe më të besuar të liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berishës, Lezhja thotë se nuk e kishte menduar ndonjëherë që pamëshirshmëria ndaj atyre që kanë themeluar e ndërtuar partinë demokratike ndër vite do të ishte në këtë masë. 

Zhdukja e figurave historike të Partisë Demokratike, themeluesve të saj dhe thuajse të gjithë ministrave të qeverisë Berisha nga listat e Bashës për kandidatët për deputetë, ka shkaktuar një reagim të fortë publik, brenda dhe jashtë PD –së. Reagoi ashpër ish ministrja Majlinda Bregu dhe ish –nënkryetari i Partisë Demokratike dhe ish –kryetari i grupit parlamentar Astrit Patozi, i cili tha se kjo forcë politike ka hyrë në një proces të pandalshëm degradimi e bjerrjeje vlerash./ TV KLAN