Nëse kancelari gjerman do të votohej drejtpërdrejt, atëherë kandidati Schulz, sipas sondazheve të fundit do të merrte 50% të votave, ndërsa Merkel vetëm 34%. Megjithatë unioni CDU/CSU kryeson. Si shpjegohet kjo?

Për Sigmar Gabrielin mund të ndjesh keqardhje. Nën drejtimin e tij, partia socialdemokrate, SPD mezi e kalonte në këto vite kuotën e 20% në sondazhe. Po tani? Sapo Martin Schulz ka marrë përsipër drejtimin e partisë dhe kandidaturën për kancelar rriten vlerat e saj me 8% menjëherë. Sigurisht ato mbeten ende shumë pas unionit konservator, CDU/CSU që kap kuotën e 34% të votave në sondazhe. Megjithatë një rritje e tillë në elektorat, brenda një kohë kaq të shkurtër është e pashembullt.

Më qartë faktori i ri Schulz turbullon në zgjedhjen e kancelarit. Nëse do mund të zgjidhej direkt kancelarja apo kancelari në Gjermani, duket se çdo i dyti votues do të jepte votën për Schulz, e vetëm një e treta për Merkelin. Kjo ka qenë deri më tani pika më e fortë e Merkelit në të shkuarën. Në vitin 2012, kur Peer Steinbrück u zgjodh kandidat i socialdemokratëve, Merkel e linte shumë pas Steinbrückun. Ndërsa Gabriel nuk do të kishte kurrë shans kundrejt Merkelit. Një çështje tjetër është dinamika që shkaktoi një person si Martin Schulz. Në çështjen e koalicionit, shumica e gjermanëve duan një koalicion të madh, por me një kancelar Schulz.

Kancelari i parë pa maturë

Cili është sekreti i politikanit që vjen nga një familje e thjeshtë, ish- presidentit të Parlamentit Europian? Sipas „Aachener Zeitung”, Schulz plotëson një vend bosh ne politikë –ai tingëllon autentik nga biografia e tij. „Pa maturë, pa studime, pa përvojë ekzekutivi, shtoji kësaj një ish-alkoolist.” Përpjekjet e kundërshtarëve politikë për ta luftuar me këto armë si dobësi ka shumë gjasa të dështojnë. “Huffington Post” bën fjalë për një lodhje nga Merkeli, një sinjal jo i mirë për unionin. Studiuesi i partive politike, Oskar Niedermayer mendon për Schulzin, se „si njeri i ri ai merr të gjithë dafinat si paradhënie.”

Duket sikur po ndryshon atmosfera politike në Gjermani, pas gati 12 vitesh Merkel. Megjithatë Niedermayer mbetet skeptik në gazetën “Rheinischen Post”, nëse këto vlera do të mbeten kështu tek Schulzi. „Nëse do të qëndrojë në këto nivele, ai duhet të pozicionohet qartë për çështje të politikës së brendshme.”

Unioni bashkohet

Kjo e trazon unionin CDU/CSU, por reagimet deri tani synojnë një qetësi demonstrative. Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber bëri thirrje për partinë e tij në “Tagesspiegel”: “Shifrat e bëjnë të qartë. Tani bëhet fjalë të luftojmë të bashkuar.” Ndërsa kolegu i unionit, partia simotër CSU, sekretari i përgjithshëm,  Andreas Scheuer, thotë në Spiegel. „Kandidati Schulz nuk ka thënë asgjë konkrete. Kur të bëhet konkret, atëherë dalldia do marrë fund me dhimbje kockash.”

Megjithatë trazimi në union është i tillë, saqë partitë simotra po afrohen sërish. Nëse kreu i CSU-së, Horst Seehofer bënte debate në të shkuarën me Merkelin për politikën e refugjatëve, tani ai i ka ulur tonet, dhe e mbështet kancelaren. Nëse do të ndiqje trendin politik të ARD-së, unioni nuk ka pse të shqetësohet megjithë valën e re që ka sjellë emërimi i Martin Schulz. Sepse dëshira për një koalicion të socialdemokratëve, me Të Gjelbrit e të majtët nuk është shumë e madhe mes gjermanëve. Pra nuk bëhet fjalë për një ndryshim të vërtetë të atmosferës politike në Gjermani, më së shumti për ndërrime emrash në postin e kancelares./DW