Përfundimi i zgjedhjeve nuk mund të çudisë askënd. Ai është natyrisht edhe një faturë për politikën ndaj refugjatëve të Merkelit. E çfarë pastaj? Marcel Fürstenau do të qe shqetësuar po të kish mbetur çdo gjë siç ishte.

Marcel Furstenau

Bashkimi Kristiandemokrat, CDU humbi pjesërisht në Baden-Vyrttemberg, në Rajnland-Pfalc dhe në Saksoni- Anhalt. Megjithë këtë, Angela Merkeli në Berlinin e largët do të mbetet edhe më tej kancelare. Edhe karrigen e saj si kryetare e CDU-së ajo do ta mbajë. Për Julia Klöcknerin, për shpresën si pasardhëse nga Mainci, rruga për atje është e largët – ndoshta shumë e largët. Pas rezultatit modest që mori në zgjedhje, kandidatja kryesore në Rajnland-Pfalc duhet të bëjë edhe më tej durim. Nëse ka ambicie.

Gjithçka tjetër veç humbjeve pjesërisht dramatike në vota të CDU-së do të kishte qenë çudi. Shumë të mëdha janë rezervat në popull ndaj politikës për refugjatët të qeverisë federale. Dhe këtë politikë e përfaqëson jo vetëm kancelarja, por edhe SPD. Si rrjedhojë, partnerja më e vogël socialdemokrate e Merkelit është humbësja e madhe e dytë e zgjedhjeve për në lande. Gjithçka që bën ose lë pa bërë koalicioni në Berlin për çështjen e azilit, përplaset me vrull të madh në të 16 landet. Atë që mendon populli për këtë, qeveria pati rast ta mësojë për herë të parë në zgjedhjet për parlamentet e landeve.

Pa kartën e refugjatëve, AfD nuk do të ishte bërë temë e madhe

Për këtë gëzohet vetëm një parti: Alternativa për Gjermaninë. Pa krizën e refugjatëve AfD ndoshta nuk do ta kishte kaluar pragun e pesë përqindshit. Kurse tani ajo po hyn në parlamente kudo me rezultate dyshifrore. Një triumf, të cilin ajo ia dedikon më së pakti një programi bindës dhe një kuadri partiak serioz. Pas grindjeve brendapartiake një vit më parë, kjo parti kërkoi dhe gjeti afërsi me lëvizjen antiislame Pegida.

Suksesi i AfD ishte i pashmangshëm dhe ai mund t’i bëjë edhe mirë një demokracie. Tani është në dorën e partive të tjera që ta marrin seriozisht sinjalin që del nga zgjedhjet në lande. Kjo është më shumë se një e shtënë paralajmëruese për një politikë gjithnjë e më tepër kontradiktore dhe jo të besueshme. Ndër kritikët e Merkelit në radhët e partisë bënin pjesë kandidatja kryesore Klöckner në Rajnland-Pfalc dhe homologu i saj në Baden-Vyrttemberg,Guido Ëolf. Faturën ata e morën në zgjedhjet për parlamentet e landeve.

Partitë e protestës vinë dhe ikin

Zemërimi dhe refuzimi vërtet që nuk janë motive të bukura për të votuar, por janë legjitime. Gjithmonë ka pasur zgjedhës të protestës. Shumicën e herëve përfitojnë prej tyre partitë në krahun e djathtë ose madje në krahun ekstremist të djathtë. Në fund ajo që vendos është përmbajtja, dhe te AfD ajo është tepër e pakët. Megjithatë, CDU, SPD, Të Majtët, Të Gjelbrit dhe FDP duhet të mënjanojnë një gabim: ta konsiderojnë të garantuar dobësinë e AfD.

Tani është koha për të kujtuar anët e forta dhe bindjet e vetes. Për parlamentet e landeve kjo do të thotë që të krijojnë sa më shpejt koalicione të afta që të veprojnë. Kohët janë shumë serioze dhe të komplikuara për t’u marrë me atë se si ndihen partitë./Marcel Fürstenau/Deutsche Welle