Qeveria shqiptare ka nisur punën për të ngritur Institutin e Hidrokarbureve. Institucioni i ri do të marrë përsipër të bëjë të gjithë ekspertizën shkencore dhe teknike për vendburimet e naftës në Shqipëri.

Në një intervistë për televizionin Klan, drejtori i Hidrokarbureve, Ilia Gjermani, thotë se Shqipëria sot është duke prodhuar mbi 1 milion ton naftë në vit, ndërsa vendburimet janë në pikën e tyre të fundit të shfrytëzimit.  Për këtë arsye duhet të një ekspertizë, e cila do të orientojë teknologjinë që duhet të përdoret dhe identifikimin e zonave potenciale për të nisur kërkimet e naftës.

Rikthimi i Institutit, i cili u mbyll në vitin 2006 do të afrojë 35 ekspertë të cilët do të vijnë nga fusha akademike, për të bërë studime ekonomike dhe shkencore se si duhet të zhvillohen zonat naftëmabjtëse.

Shqipëria zbuloi për herë të fundit një vendburim të ri nafte në Shpirag vitin 2001, ndërsa tani në këtë zonë është duke kërkuar Shell. Disa ditë më parë kryeministri Rama u bëri thirrje investitorëve në Kongresin Botëror të Naftës në Stamboll, që të vijnë në Shqipëri për të eksploruar potencialet e mëdha që ka vendi në fushën e hidrokarbureve.

Tv Klan