Shumë shpejt pritet të përfundojë kontrata që i hap rrugë ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Kjo u bë e ditur nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, gjatë turit “Puna për Shqipërinë që duam, llogaridhënia publike e qeverisë”. Sipas Gjiknurit, ky projekt përveç rritjes së punësimit do të sjellë edhe investime të tjera infrastrukturore për zonën.

“Po avancojmë edhe me Aeroportin e Vlorës që siç ju e dini do të ndërtohet në Akërni. Shpresoj që për disa muaj ne ta përfundojmë edhe kontratën dhe pastaj ne të fillojmë procesin e lejeve dhe ndërtimin e aeroportit. Ky investim do të sjellë shumë zhvillim dhe jo vetëm punësim për njerëzit këtu pasi do të ketë shumë shërbime. Do të ketë edhe një rrugë të re që të ketë një lidhje më të mirë të aeroportit me autostradën.

Ne jemi duke punuar për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare edhe problemit të mbetjeve në Vlorë, një investim që do të fillojë shumë shpejt nga qeveria shqiptare”. 

I pranishëm në takimin me qytetarët e Vlorës, Ministri për Turizmin dhe Kulturën, Blendi Klosi u ndal tek sezoni turistik, për të cilin tha se nga viti në vit po rritet numri i turistëve që zgjedhin Shqipërinë.

“Ajo që kemi bërë gjatë gjithë këtyre kohëve është përgatitja për sezonin turistik. Janë disa arritje në këtë fushë dhe po të krahasohet me numrin e turistëve gjithnjë e më tepër shtohet numri. Sot në darkë mbërrin charter-i i parë nga Finlanda. Është një arritje në fushën e turizmit në Shqipëri, janë 30 mijë turistë që vijnë për herë të parë në Shqipëri. Duhet që këtë vit sezoni turistik të jetë i mirëmenaxhuar”.

Ndërsa pritet të lidhet edhe kontrata për lotin e dytë të rrugës së Lumit të Vlorës, ministri Gjiknuri tha se ky projekt do pasohet me kontratën e tretë për të lidhur Selenicën me pjesën Levan-Tepelenë, por dhe Qeparoin me pjesën e Kuçit.

Tv Klan