Një 31-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një infeksioni të marrë teksa notonte në oqean, pesë ditë pasi kishte bërë një tatuazh në këmbë.

I riu që jetonte në Teksas të SHBA-ve bëri në këmbën e tij të djathtë tatuazhin “Jezusi është jeta ime”, por nuk i zbatoi porositë e artistit të tatuazheve.

Mes porosive më të rëndësishme ishte mbajtja e tatuazhit të pastër dhe mbuluar pasi trupi në atë pjesë mund të marrë shumë kollaj infeksion.

Gjëja e parë që duhet shmangur është njomja e tij. Këtu përfshihen dushet e shpejta, dhe në asnjë mënyrë noti. Ekspertët paralajmërojnë shmangien e ekspozimit veçanërisht ndaj ujërave të papastra në kohën që lëkura aty ku është bërë tatuazhi riparon veten.

Dhe pikërisht këtë bëri 31-vjeçari. Ai shkoi për not në oqean, në Gjirin e Meksikës, në SHBA.

Sipas një raporti të publikuar javën e kaluar në “BMJ Case Reports”, i riu, emri i të cvilit nuk jepet, ishte një latin që jetonte në Teksas.

Pesë ditë pasi kishte vizatuar tatuazhin, ai shkoi për not. Tre ditë pas kësaj ai u shtrua në Parkland Memorial Hospital në Dallas me dhimbje të forta në të dyja këmbët. Si simptoma kishte edhe dridhje e skuqje rreth tatuazhit e gjetkë në këmbë.

Drejtuesi i raportit, Dr. Nicholas Hendren nga Universiteti i Teksasit tha se “pacientët që vijnë në spitalin tonë vijnë në gjendje të rënduar dhe gjendja e tij ishte prej më të rëndave që na janë paraqitur”.

“Ai ishte në fazat e para të shokut septik dhe veshkat e tij kishin plagë”, tha ai, duke shtuar se “sëmundja u përhap brenda 12 orësh, çka është tipikë për këtë infeksion”. 

Çka ishte edhe më problematike, i riu kishte sëmundje kronike në mëlçi si pasojë e konsumimit të birrës.

Fillimisht gjendja e tij u përmirësua, por në muajin pasues u përkeqësua dhe pas dy muajsh vdiq si pasojë e një shoku septik. 

Këshilla e mjekut është e qartë: nëse keni vendosur të bëni një tatuazh, bëjeni në mënyrë të sigurt, në një vend të licencuar dhe zbatoni detyrat që ju jep artisti i tatuazheve./tvklan.al