Një restorant kinez në Kanada është gjobitur nga një gjykatë e të drejtave të njeriut me 10.000 Dollarë pasi ka bërë që klientët me ngjyrë të parapaguanin për ushqimin e tyre.  

Emile Wickham dhe tre miq të tij shkuan në restorantin kinez në Toronto për të festuar një ditëlindje në maj të vitit 2014. Pasi kamarieri mori porositë e tyre, ai u tha grupit të miqve se do t’u duhej të paguanin para se t’u servirej ushqimi, tha Wickham në gjykatë.

Kamarieri tha se ishte politika e restorantit e tillë kështu që grupi pagoi për vaktin e tyre. Por Wickham ishte dyshues dhe pyeti klientët të cilët ishin të gjithë të bardhë, nëse ata kishin parapaguar për ushqimin e tyre. Ata thanë se nuk kishin parapaguar.

Menjëherë pas incidentit, Wickham paraqiti një ankesë në gjykatën e të drejtave të njeriut. Pas shqyrtimit të rastit, gjykata arriti në përfundimin se veprimet e restorantit Hong Shing shkelin seksionin e parë të kodit të të drejtave të njeriut, i cili ndalon diskriminimin kur ofrohet një shërbim./tvklan.al