Në Maqedoni protestat kundër gjuhës shqipe po mbahen për dy javë me radhë, nën organizimin e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.

Organizatorët e protestave thonë se do të dalin në rrugë për të protestuar në Shkup dhe qytetet e tjera të Maqedonisë, derisa lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, ta hedhë tërësisht platformën shqiptare. Ata konsiderojnë se ky dokument është hartuar në Tiranë dhe si i tillë cenon karakterin unitar të shtetit të Maqedonisë.

Ndërkaq, Zaev të premten duke prezantuar programin qeveritar u ka bërë thirrje protestuesve që të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse janë të pavërteta spekulimet se do të dënohen qytetarët maqedonas, të cilët nuk e njohin gjuhën shqipe, aq më pak se do të imponohet miratimi i një ligj, i cili është në dëm të qytetarëve maqedonas.

Por, protestuesit thanë se mbeten të zhgënjyer nga Zaevi, i cili nuk pati guxim të shprehet kundër platformës shqiptare, prandaj thanë se do të vazhdojnë me protesta.