Njohësit e çështjeve juridike thonë se ligji i cili rregullon përdorimin e gjuhës shqipe, i hartuar nga partitë politike shqiptare, miratimi i të cilit është vënë si kusht për të arritur ujdi për formimin e qeverisë së re me Lidhjen Social Demokrate, pa ndryshimin e Kushtetutës nuk arrin të sigurojë barazi të plotë të gjuhës shqipe me atë maqedonase si gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Besa Arifi nga Fakulteti Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se rezultati zgjedhor nuk prodhoi numra të cilët do të ishin pro ndryshimeve kushtetuese dhe në një situatë të këtillë palët në bisedime kanë hartuar një ligj i cili mundëson shtrirje maksimale në të gjitha institucionet, aq sa e lejon Kushtetuta e Maqedonisë.

“Unë mendoj se ligji që rregullon përdorimin e gjuhëve do të përparojë shumë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Megjithëse duhet theksuar se ka dy elemente këtu që duhet marrë parasysh, një është zgjerimi i përdorimit të gjuhëve deri aty ku e lejon Kushtetuta ajo që është e nevojshme në këtë periudhë kohore dhe e dyta, nevojitet një punë e palodhshme për implementimin e dispozitave ligjore në praktikë që qytetarët të ndjejnë benifitet e ligjit”, thekson për Radion Evropa e Lirë, Besa Arifi.

Përderisa, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, për Radion Evropa e Lirë vlerëson se krahas vullnetit për të miratuar një ligj që zgjeron aspektin juridik të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, nevojitet dhe krijimi i një klime që institucionet e shtetit të eliminojnë barrierat teknike gjatë zbatimit në praktikë.

“Duhet bërë një distinkcion mes aspektit politik dhe atij praktik. Të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët dëshirojnë të përdorin mundësinë ligjore që do të ofrojë ky ligj ose ata qytetarë të cilët nuk e njohin në nivel të kënaqshëm gjuhën maqedonase, përfitojnë gjithsesi shumë në raport të përmirësimit të komunikimit me institucionet e shtetit”, thotë Musliu.

Sipas informacioneve që kanë dhënë zyrtarët e lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, si hartues të ligjit që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, në bashkërendim dhe me Aleancën për Shqiptarët, parashihet dhe ngritja e një Agjencie për cilësinë e përkthimeve që njëkohësisht do të duhet të monitorojë dhe mënyrën e drejtë të përdorimit të gjuhës shqipe duke paraparë dhe sanksione për ata të cilët nuk do ta përdorin drejtë gjuhën shqipe.

Gjuhëtarët thonë se në krye të institucioneve duhet të vendosen persona eminent me përgjegjësi të lartë, sepse po aq sa është e rëndësishme shtrija institucionale e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet,rëndësi të veçantë ka dhe përdorimi i drejtë i gjuhës shqipe nga ana e institucioneve.

“Duhet të krijohen institucione të cilat do të ishin shumë profesionale dhe jo të krijojmë institucione sa për të pasur institucione, sepse ndonjë herë institucionet janë jo funksionale dhe udhëhiqen nga ‘ekspertë'”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Salajdin Sali nga katedra e gjuhës shqipe në Universitetin e Tetovës.

Përderisa, Besa Arifi, njohëse e çështjeve juridike, thotë se ligji që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe kontribuon në përmirësimin e përfshirjes së shoqërisë në Maqedoni.

“Unë mendoj se zyrtarizimi i gjuhës shqipe është një çështje që shumë kohë ka mbetur e hapur, që nga miratimi i marrëveshjes së Ohrit dhe mendoj se tani ka ardhur koha që kjo çështje përfundimisht të mbyllet, me aq hapësirë sa lejon kjo Kushtetutë që e kemi, por edhe Marrëveshja e Ohrit”, thotë Arifi.

Ndryshe nga ajo që kanë bërë publike zyrtarët e lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, drafti për gjuhën shqipe, parashikon përdorimin e gjerë të saj në Kuvend dhe në Qeveri.

Gjuha shqipe do të marrë një shtirje më të gjerë edhe në sistemin gjyqësor, ndërkohë që parashihet që të gjitha aktet noteriale, të jenë në gjuhën shqipe me kërkesë të palës.

Ligji parasheh që uniformat e pjesëtarëve të forcave të sigurisë të jenë edhe në gjuhën shqipe si dhe në kartëmonedha të jetë edhe gjuha shqipe.

Për dallim nga ligji i mëparshëm, tani draft-ligji për gjuhën shqipe mundëson përdorimin zyrtar të shqipes në tërë territorin e Maqedonisë. (REL)