Koço Kokëdhima nuk do të jetë me deputet i Kuvendit të Shqipërisë, gjatë këtij mandati.

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për ta shpallur si të papajtueshëm me kushtetutën, mandatin e deputetit të Vlorës duke i dhënë në këtë mënyrë të drejtë opozitës.

Partia Demokratike e akuzoi Kokëdhimën se ka përfituar në më shumë se 150 raste fonde publike nga aktiviteti i tij si biznesmen, pasi kishte marrë mandatin e deputetit.

Kushtetueses iu drejtua parlamentit me votim konsensual  pasi vetë kjo gjykatë e detyroi duke hedhur poshtë vendimin e mëparshëm të mazhorances në parlament, që refuzoi kërkesën e opozitës që t’i drejtohet kësaj gjykate.

Vetë deputeti i Vlorës i kishte hedhur poshtë akuzat e opozitës.

Kokëdhima është i dyti deputet socialist që e humbet mandatin në Gjykatën Kushtetuese. Për të njëjtat arsye në vitin 2011, u shpall si i papajtueshëm me kushtetutën dhe mandati i Ilir Beqes.

Vendin e Kokëdhimës në grupin parlamentar të Partisë socialiste pritet ta zërë Edmond Leka, i cili është kandidati i radhës në listen e qarkut të Vlorës.

Leka aktualisht mban detyrën e drejtorit portit të Vlorës dhe ka drejtuar dhe degën e partisë së këtij qyteti.

Tv Klan