ismail morina

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë për “Ballist” Morinën, duke e lënë në burg pa afat.

Ismail Morina ka hyrë në gjykatë me një flamur shqiptar të hedhur në krahë, ndërsa në sallë nuk është lejuar ta mbajë.

Prokuroria e Tiranës, përfaqësuar nga Gjegji Tako, kërkoi “arrest me burg” për Morinën, duke e akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Duke mos mohuar flagrancën në këtë rast, avokati mbrojtës i “Ballistit”, Ardian Visha, kërkoi që ky rast të shikohej ndryshe nga gjykata.

Ndërsa vetë Ismail Morina nuk kërkoi mëshirë para gjykatës, por mirëkuptim. Ai ka shtuar se do të donte të ishte para një gjykate serbe, për të treguar krenarinë e tij.

Ka vazhduar me tej se, prej një viti i mungon gruas dhe dy fëmijve të tij, pasi prej ndeshjes së Beogradit, jeta e tij është në rrezik.

Por pavarësisht deklarimeve të “Ballistit”, gjykata vendosi ta lërë në burg.

Në përfundim, avokati Ardian Visha tha se, armët, klienti i tij i mbante për vetëmbrojtje. Ndërsa shtoi se, ishte i kërcënuar dhe kishte kërkuar mbrojtje tek zyrtarët më të lartë të policisë.

Për tre personat e tjerë të arrestuar, Marin Rexha, Denis Balla dhe Erjon Bahushi, është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, një herë në javë në prokurori.

Tv Klan