Gjykata e Shkallës së Parë në Kavajë, konfirmoi masën e sigurisë arrest me burg për Engrid Hënajn, 30 vjeçarin ish-efektiv i njësisë Shqiponja në Tiranë, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Ai akuzohet se ka informuar Fation Lilën, i cili ishte nën kërkim dhe më pas i dyshuar si autor i një sërë vjedhjesh me armë e me dhunë të kryera në Kavajë ndaj pikave të ndryshme të këmbimit valutor. Po ashtu Lila akuzohet edhe për vjedhjen e banesave të ndryshme në këtë qytet, si dhe në zonën e plazhit.

Fatjon Lila u arrestua pak javë më parë, dhe menjëherë më pas nisi hetimi për efektivin e policisë.

Efektivi i policisë nuk pranoi të fliste apo të jepte deklarime para gjykatës mbi rrethanat e hetimit të çështjes ndaj tij. Përfaqësuesi i prokurorisë kërkoi që Hënaj të qëndronte në masën e sigurisë burg pa afat të vendosur nga Gjykata e Kavajës Javën e kaluar. Si prova prokurori paraqiti një sërë përgjimesh të kryera gjatë hetimeve parprake ndaj tij.

Në këto përgjime, Hënaj është regjistruar të komunikonte me Fation Lilën. Ndër të tjera ish- efektivi njësisë elitë “Shqiponja”, informonte të kërkuarin se ishte në sistemin e kërkimit policor. Po ashtu ai i rekomandonte të lidhte kontakte me prokurorin e çështjes me qëllim që të mbyllte hetimin ndaj tij. Fation Lila u arrestua disa javë më parë nga policia e Kavajës, dhe gjatë kqyrjes së telefonit, u zbulua se ai kishte komunikime me efektivin e policisë.

Tv Klan