Duket se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do ta ketë të lehtë të ndalojë futjen e të huajve në Amerikë.

Kjo pasi një gjykatës federal në Hawaii ka bllokuar urdhërin e ri të Presidentit Donald Trump për ndalimin e lëvizjes së lirë, që ishte parashikuar të hynte në fuqi mesnatën e së enjtes.

Vendimi i gjykatësit Derrick Watson ndalon kështu urdhërin ekzekutiv që të hyjë në fuqi.

Direktiva e re parashikonte vendosjen e ndalimit të udhëtimit për një afat 90 ditor nga gjashtë vende me shumicë myslimane dhe ndalimin e refugjatëve me 120 ditë.

Presidenti Trump deklaroi se kjo do të ndalonte futjen e terroristëve në SHBA, por kritikët thonë se ky është diskriminim.

Një urdhër i ngjashëm ekzekutiv, i firmosur kohë më parë nga Presidenti amerikan shkaktoi konfuzion e protesta dhe u bllokuar nga një gjykatës në Seattle.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë ende një koment për vendimin e fundit ligjor./tvklan.al