Gjykata Supreme e Pakistanit ka urdhëruar që kryeministri i këtij vendi, Nawaz Sharif, të largohet nga ky post lidhur me akuzat për korrupsion, që kanë dalë nga rrjedhjet në të ashtuquajturat Letrat e Panamasë, në vitin 2016.

Në vendimin e sotëm të gjykatës thuhet se kjo masë hyn në fuqi menjëherë.

“Ai nuk i plotëson kushtet për të qenë anëtar i sinqertë i parlamentit dhe pushon ta mbajë zyrën e kryeministrit”, tha gjyqtari, Ejaz Afzal Khan, në gjykatë.

Kryeministri Sharif ka dhënë dorëheqje pak kohë pas vendimit të gjykatës, tha një zëdhënës i tij.

Zoti Sharif vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat lidhur me këtë rast.

Mediat pakistaneze kanë raportuar se mund të hapet një hetim penal kundër zotit Sharif dhe familjes së tij.

Ky vendim u shpall sot derisa në kryeqytetin Islamabad janë shtuar masat e sigurisë, me vendosjen e më tepër se 3 mijë policëve. /REL