Gjyqtarja Fildes Hafizi duket se e ka parandjerë fundin e saj tragjik. Vetëm disa muaj më parë, në një letër drejtuar ambasadorit amerikan Donald Lu ajo ka shprehur pasigurinë për jetën të kërcënuar nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi.

 “Çdo ditë jetoj me frikën se ai do të dalë sepse mund t’i shuhet masa e sigurimit dhe mund të realizojë qëllimin e tij, të përfundojë veprimin që nisi, sepse sistemi i drejtësisë po i jep një leksion, “bëj çfarë të duash se nuk ka ndëshkim”. Çdo ditë i lutem zotit që të më lërë jetën që t’i bëj fëmijët e mi qytetarë të zotë e të denjë”.

Në letrën e saj gjyqtarja Hafizi rrefen divorcin me probleme dhe ngjarjen e 19 korrikut 2015 kur sipas saj bashkëshorti tentoi ta eliminojë në sy të djalit të tyre. 9 muaj nga ngjarja gjyqtarja shihte sesi zvarriteshin seancat gjyqësore duke ngritur pikëpyetje të mëdha për sistemin ku ajo vetë punonte.

“Shqetësimi im i vërtetë filloi kur unë e kuptova që edhe pse tashmë jam pjesë e sistemit të drejtësisë, akoma edhe sot që po ju shkruaj nuk është bërë asnjë seancë gjyqësore në mënyrë që të jepet drejtësi. Për një vepër të kryer në kushtet e flagrancës ka nëntë muaj që nuk bëhet dot asnjë seancë gjyqësore”.

Fadil Kasemi u akuzua vetëm për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje duke u dënuar me vetëm 4 vite burg, por u lirua pasi përfitoi nga amnistia e dhjetorit të 2016-ës.

Tv Klan