Lezhë/ Një 70 – vjeçar ka humbur jetën këtë të mërkurë, pasi mjeti me të cilin udhëtonte ra në lumë. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:40 në fshatin Gjadër, në rrugën rurale Gjadër – Zojs tek vendi i quajtur ‘Ura e Gjadrit ‘.

Sipas policisë, 70 – vjeçari lëvizte bashkë me mbesën e tij 16 – vjeçare me një ciklomotor. Ai ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka rënë në lumin Gjadër.

Adoleshentja është nxjerrë menjëherë nga lumi dhe është dërguar në spital, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Por gjyshi i saj, i identifikuar vetëm me iniciale V.L nuk ka mundur të mbijetojë. Policia, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe banorët e fshatit bënë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen nga uji të trupit të tij të pajetë, rreth 400 metra larg nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al