Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtar të dielën lidhur me arrestimin një ditë më parë të tre tifozëve që kishin kundërshtuar me forcë duke goditur me shkopinj bejsbolli punonjësit e policisë.

B.B. 33 vjeç, Agron Meçanaj, 38 vjeç dhe Aden Xh., 18 vjeç, të tre banues në Tiranë u arrestuan të shtunën pasi rreth orës 17.30, në rruga ”Dritan Hoxha”, para fillimit të ndeshjes së basketbollit Tirana – Partizani, e cila do zhvillohej në pallatin e sportit “Asllan Rusi” kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë duke i goditur me sende të forta, gurë, drunjë e shkopinj bejzbolli.

Në këtë ngjarje janë përfshirë edhe disa persona të tjerë që nuk janë identifikuar ende nga policia.

Sipas policisë, motiv i kësaj situate ka qenë se punonjësit e policisë kishin marrë detyrë që atë grup tifozësh prej afro 130 personash ta zhvendosnin nga aty ku ishin pozicionuar  pasi ishin burim konflikti dhe ishin përgatitur të prodhonin konflikt me ekipin kundërshtar, atë të Tiranës.

Gjithashtu  në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u referuan materialet për  H.K, I.S dhe TH.N, vjeç 29, 23 e 20, banues në Tiranë, pasi  në pallatin e sportit “Asllan Rusi”,  gjatë ndeshjes kanë prishur rendin dhe qetësinë publike. /tvklan.al