Autoritetet italiane kanë finalizuar një operacion, të quajtur “Marketi Frutta” ku kanë shkatërruar një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e drogës. Mes të arrestuarve është edhe një shqiptar.

Hetimi vijonte që prej vitit 2016, kur ishin ndaluar tre shpërndarës droge që operonin në provincën e Trentos. Atyre iu ishte zbuluar një shënim i dyshimtë që fliste për fruta dhe perime, por sipas policisë kjo simbolizonte drogën.

Nga këtu nisi hetimi edhe për grupin kriminal, që shiste lëndë narkotike nga një dyqan fruta-perimesh në Rimini dhe jo vetëm.

Sipas hetimeve, droga vinte nga Spanja, kalonte Francën dhe rivierën romanjole.

Më pas, kokaina, hashashi dhe marijuana dorëzohej në dyqanin e fruta-perimeve që zotërohej nga shqiptari. Dyqani ishte gjithashtu një bazë e grupit kriminal.

Mediat italiane nuk e bëjnë të njohur identitetin e tij, por shprehen se policia ishte vënë prej kohësh pas një kushëriri të tij, që njihej për disa precedentë të mëparshëm penal lidhur me lëndët narkotike.

Ndërkohë, koka e grupit, sipas autoriteteve, ishte një siçilian. Ky i fundit operonte në Rimini, Forlì, Cesenatico e Cervia. Ai furnizonte shitësit e drogës në rrugë me sasi të mëdha droge. Në pranga ra edhe e dashura e këtij të fundit, e cila e ka shoqëruar në disa raste, kur është marrë me shpërndarjen e drogës.

Sipas hetimeve, në Cervia dhe Cesenatico operonin dy baza të ndryshme, që mbështeteshin nga siçiliani dhe shqiptari, të cilët mbulonin secili me drogë zonat përkatëse.

Mësohet se personi që merrej me gjetjen e drogës nga Spanja ishte një i ri italian. Ky i njoftonte bashkëpunëtorët e tij sapo e bënte gati ngarkesën dhe më pas merrej me transportin e saj.

Autoritetet kanë dokumentuar rreth 2 mijë raste të shpërndarjeve të drogës, me një qarkullim prej 1 milion eurosh.

/abcnews.al