Google është vënë në ndihmë të të prekurve nga katastrofa në SHBA, duke aktivizuar butonin e Alarmit SOS për uraganin Harvey dhe dhuruar të ardhura për organizatat që po merren me ndihmën ndaj të dëmtuarve.

Butoni i Alarmit SOS është dizajnuar për të siguruar të gjithë informacionin e nevojshëm lidhur me ngjarjen në krye të rezultateve të kërkimit.

Me këtë buton që Google prezantoi në muajin korrik, kompania synon që të ndihmojë personat e ndodhur në zonat e katastrofave natyrore, zjarreve apo sulmeve terroriste të gjejnë informacione sigurie dhe rrugëdalje për në vende të sigurta. Butoni funksionon në motorin e kërkimit dhe në Google Maps.

Këtu përfshihen të gjithë lajmet e fundit lidhur me uraganin dhe katastrofën natyrore, hartën e krizës së Google dhe tweet-et e fundit nga zyrtarët e qeverisë, ndërsa përdoruesit që janë ende në zonat e prekura mund të shikojnë edhe raportet e fundit lidhur me trafikun dhe kushtet e përmbytjeve.

Google po ashtu siguron një listë websajtesh që njerëzit mund të vizitojnë për të marrë lajmet e fundit lidhur me kushtet e motit dhe rrugëve, ndërsa ata që jetojnë jashtë zonave të goditura nga fatkeqësia mund të shikojnë udhëzimet se ku mund të dhurojnë të ardhura për përballimin e katastrofës.

Në alarmin SOS përfshihet një hartë krize, karakteristika që vizualizojnë kushtet aktuale të motit, bllokimin e rrugëve dhe vendstrehimet për të evakuarit.

Përdoruesit po ashtu kanë mundësinë të shikojnë rrugët e evakuimit të cilat të çojnë të zona të tjera urbane në Texas si Dallasi dhe San Antonio.

Përveç lehtësimeve teknologjike në përballimin e krizës,  punonjësit e Google u kanë dhuruar rreth 500 000 dollarë organizatave që po merren me ndihmën e të prekurve nga katastrofa, përfshirë Kryqin e Kuq Amerikan./tvklan.al