Persona të maskuar e të armatosur kanë grabitur të martën në mbrëmje një çift në fshatin Donofrosë, Ura Vajgurore.

Ka qenë ora rreth 21:15, kur grabitësit kanë hyrë në shtëpinë e 57 – vjeçarit O.B dhe 55 – vjeçares D.B.

Ata janë konfliktuar me çiftin dhe e kanë goditur të zotin e shtëpisë me qytën e armës në kokë. Bashkëshortja e tij ka ndërhyrë, por grabitësit nuk e kanë kursyer as këtë të fundit, e cila ka mbetur gjithashtu e lënduar.

Burime zyrtare sqarojnë se fatmirësisht, bashkëshortët kanë marrë dëmtime të lehta.

Autorët, identiteti i të cilëve nuk dihet ende, kanë kontrolluar banesën dhe janë larguar me dy aparate celularë.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

/tvklan.al