Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg Aleksandër Muratajn dhe Dritan Sinanin, të dyshuar si pjesëtarë në dy grabitjet në rrugën e Rinasit ku u morën 7 milion euro.

Dy të arrestuarit kanë mohuar akuzat e ngritura duke dhënë një tjetër version për ngjarjen. Sipas Aleksandër Murataj, vëllait të Admir Murataj, i shpallur në kërkim si një nga organizatorët e grabitjeve në datën 9 shkurt ai ka qenë tek dentisti. Sipas tij në orën kur ka ndodhur grabitja ai ndodhej atje dhe kjo vërtetohet nga regjistri i mjekut.

Ndërsa i ndaluari tjetër Dritan Sinani ka sqaruar se njihet me Admir Muratajn dhe e ka mik, pasi vëllai i tij punonte në vilën e tij si kopshtar. “Herë pas herë në këtë shtëpi kam qenë dhe unë”, mësohet të ketë deklaruar Sinani.

Por gjykata është bindur nga provat e sjella nga prokuroria dhe ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për ta.

Ndërkohë Gjykata e Apelit nuk ka ndryshuar masën e sigurisë për Dash Kupën i arrestuar dy javë më parë për të njëjtën ngjarje./ TV KLAN