Makina me të cilën u larguan nga vendi ku dogjën furistradatat që përdorën në grabitjen e Qafë Kasharit, ishte pikënisja, që çoi në idendifikimin e grabitësve të 3.2 milionë dollarëve, të enjten e kaluar. Për të humbur gjurmët, autorët ikën me një makine tip Voklswagen Golf.

Burime të rezervuara nga grupi hetimor bëjnë me dijë për Televizionin Klan se automjeti është parë nga disa dëshmitarë okularë dhe është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë së disa bizneseve. Sapo ka lënë rrugën e fshatit Berxull, makina me autorët është futur në autostradë, ku dhe është fiksuar nga kamerat.

Me këtë mjet, grabitësit transportuan edhe 8 thasët me 3.2 milionë dollarë, që grabitën nga kasafortat e makinave të blinduara.

Gjatë kësaj kohe, makina u shkëmbye dhe me një patrullë të policisë, e cila njoftoi sallen operative, për shkak se ajo lëvizte me shumë shpejtësi.  

Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë është parë që makina ka ndjekur autostradën deri në Vorë. Më tej, ajo nuk shfaqet në kamerat e bizneseve, përgjatë autostradës.

Mjeti dyshohet të jetë i vjedhur. Ekspertët e Policisë Shkencore përpunuan pamjet filmike, të cilat çuan në arrestimin e 4 personave deri tani.

Tv Klan