Ishte ora 16:10 minuta, kur një ngjarje e pazakontë tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve në lulishten përpara “Hotel Sheraton” në qendër të Tiranës.

Një i ri i maskuar me pistoletë në dorë kërcënonte dy persona, që sapo kishin dalë nga filiali i një banke.

“Dorëzoni paratë”,

ishte kërkesa e tij dhe sapo ka mundur të marrë prej tyre një çantë, është larguar me një motor, ku e priste një bashkëpunëtor i tij.

Dëshmitarët e shumtë thanë se gjithçka ndodhi në pak sekonda.

Policia mbërriti pas pak çastesh në vendin e ngjarjes, duke raportuar se viktima e grabitjes ishte Sajmir Hasani, punonjës i një njësie të këmbimit valutor në kryeqytet. Ai shoqërohej nga një punonjës sigurie i kompanisë dhe ishin nisur drejt veturës së tyre, një Ford Fokus me targa TR 2962 L.

Zyrtarisht nuk jepet shuma e grabitur, por mësohet se ajo është rreth 18 milion lekë të reja.

https://www.youtube.com//embed/j1kqVR5Upow

Policia tha se po punon për kapjen e dy autorëve duke ngritur pika të shumta kontrolli në hyrje – daljet e kryeqytetit.

Burime të Televizionit Klan thanë se kërkimet janë përqendruar në zonën pranë digës së Liqenit Artificial dhe tek zona e Kopshtit Botanik.

Janë duke u kqyrur kamerat e hotelit të njohur dhe të disa bizneseve pranë tij.

Në pyetje është marrë personi i grabitur dhe ata që po e shoqëronin. Hetuesit po zbardhin rrethin e atyre që ishin në dijeni të tërheqjes së një shume të tillë nga banka.

Tv Klan